My piece for Monitor Albania: "Investors from Türkiye interest in energy sector in Albanian market"
In Albanian: click
Nga
*Dilek Kütük;
** Erinda Zhupani
Mes avantazheve dhe disavantazheve për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, Turqia, vitet e fundit ka qenë në një pozicion të favorshëm për sa i përket sektorit të energjisë. Vendndodhja e afërt gjeografike pranë tregjeve globale të energjisë dhe strehimi i shumë burimeve energjetike në territorin e saj, ka bërë që ajo të shndërrohet në një aktor të sigurt dhe të domosdoshëm në transportin e naftës dhe gazit natyror nga Lindja në Perëndim.
Turqia është një vend importues i naftës dhe gazit natyror. Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, u kuptua qartë ndikimi që kjo situatë pati tek vendet importuese. Ndërsa vendet evropiane kanë reduktuar varësinë e tyre energjetike nga Rusia, Turqia ka përshpejtuar aktivitetet e saj të kërkimit të naftës dhe gazit natyror në detin Mesdhe dhe Detin e Zi si dhe ka rritur buxhetin përkatës.
Turqia është një nga vendet që vazhdon investimet në reduktimin e varësisë nga energjia përsa i përket projekteve ndërkombëtare të infrastrukturës së sistemit të gazit natyror, gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe objektet e magazinimit, projekteve të termocentraleve bërthamore dhe aktiviteteve të kërkimit dhe shpimit.
Krahas këtyre projekteve, Turqia i kushton rëndësi edhe bashkëpunimit ndërkombëtar në tregtimin e energjisë. Për këtë arsye, ajo ka zbatuar dhe iniciuar disa projekte të tubacioneve të gazit natyror dhe naftës. Ndër këto projekte mund të listohen: naftësjellësi Baku-Tbilisi-Cejhan, tubacioni i gazit natyror të Kaukazit Jugor (SCP), tubacioni i gazit natyror Baku-Tbilisi-Erzurum, ndërlidhësi i gazit natyror Turqi-Greqi, tubacioni i gazit Trans-Anatolian (TANAP) dhe TurkStream.
Projektet energjetike përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të politikës së jashtme të Turqisë, veçanërisht në Ballkan.
SHQIPËRIA OFRON NJË MJEDIS TË FAVORSHËM PËR INVESTIMET TURKE NË ENERGJITIKË
Duke pasur parasysh investimet e Turqisë në rajonin e Ballkanit, Shqipëria vazhdon të mbetet një ndër partnerët e saj më të rëndësishëm dhe strategjik. Kompanitë turke në Shqipëri në përgjithësi operojnë në fusha të ndyshmë si: banka, energji, metalurgji, logjistikë, prodhim, shitje me pakicë etj.
Duke qenë se Shqipëria mbështetet 90% të prodhimin të energjisë elektrike nga hidrocentralet, pjesa më e madhe e investimeve turke në energji janë të përqendruara në projektet e hidrocentraleve. Me synimin e diversifikimit të burimeve energjitike dhe duke përfituar nga kushtet gjeografike të vendit, qeveria shqiptare i ka dhënë një rëndësi të veçantë energjisë eolike dhe asaj diellore. Këto fusha të energjisë së rinovueshme qëndrojnë në pritje të investimeve të kompanive të huaja.
Në vitin 2019, me qëllim diversifikimin e llojeve të energjisë duke shfrytëzuar burime të tilla si era, dielli dhe gjeotermale etj. u krijua Plani Kombëtar i Konsoliduar i Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë. Në vazhdimësi të këtyre politikave, në një sipërfaqe prej 120 hektarësh po ndërtohet nga kompania Voltalias, parku fotovoltaik i Karavastasë me një kapacitet 140 MË. Ky projekti, i cili do të jetë centrali më i madh diellor në Ballkanin Perëndimor, planifikohet të përfundojë në vitin 2023.
Përmirësimet në infrastrukturë tërheqin akoma dhe më shumë investime të huaja dhe kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit. Shqipëria gjithashtu është një vend i përshtatshëm për sa i përket aksesit në tregun evropian të energjisë dhe të tregtisë së lirë.
Nga ana tjetër, edhe pse emigracioni në Evropë është i lartë; shkollimi i popullatës së re në vend dhe njohja e shumë gjuhëve, përfshirë turqishten, ofrojnë një komunikim të mirë dhe një mjedis pune produktiv për investitorët turq.
INVESTIMET TURKE NË SEKTORIN ENERGJETIK NË SHQIPËRI
Duke filluar nga viti 2008, falë ndyshimeve në legjislacionin vendas, tregu i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike u bë tërheqës për investitirët e huaj. Kështu, investimet e huaja në fushën e energjisë filluan të rriten vit pas viti. AYEN Energy, Kürüm Holding dhe Limak Holding janë aktualisht ndër kompanitë më të rëndësishme turke me investime energjetike në Shqipëri.
Kompania Ayen As Energy ka përfunduar realizimin e projekteve te HEC-eve me koncesion në lumin e Fanit në Veri të vendit me HEC-et Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangu. Ndërkohë që përveç prodhimit të energjisë, ajo e tregton atë drejt tregjeve evropiane. Ndërsa në vitin 2017, e njëjta kompani do të fitonte tenderin e hidrocentralit të Kalivaçit për një periudhe 35 vjeçare, një kapacitet të instaluar prej 111 MË dhe prodhimi vjetor i energjisë 366.6 milionë kilovat. Projekt i cili nuk ka nisur ende.
Kompania Limak Holding është nën- kontraktuar për ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën përgjatë lumit Devoll, e cila operohet nga kompania norvegjeze Statkraft. Projekti ka filluar në vitin 2013 me ndërtimin e HEC-ve të Banjës dhe Moglicës dhe ka përfunuar në vitin 2020.
Kürüm Holding është kompania tjetër turke e cila operon në fushën energjitike në Shqipëri, e cila është e pranishme në tregun shqiptar që prej vitit 1998. Edhe pse investimet fillestare dhe kryesore i ka pasur në metalurgji, Kürüm Holding mban të drejtat e operimit të hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 si dhe Ulez, Shkopet. Falë prodhimit të energjisë në këto hidrocentrale, kompania siguron akses në energji elektrike të qëndrueshme dhe me kosto të ulët për plotësimin e nevojave energjetike operacionale të brendshme.
Një fushë tjetër që thellon marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë janë projektet e infrastrukturrës së furnizimit me energji. Kompani të shumta turke janë duke eksploruar mundësi të reja për investime në fushën e energjisë së rinovueshme si ajo eolike dhe diellore
Ndërsa në shumë vende synohet rritja e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe hidrocentraleve; projektet e gazit natyror të lëngshëm dhe tubacionet e gazit natyror që do të mundësojnë reduktimin e varësinë energjetike nga Rusia, kanë rifituar vendin e tyre në axhendën botërore.
Ndër projektet më të rëndësishëm aktualë janë: projekti i gazsjellësit Trans-Anatolian të Gazit Natyror (TANAP). Ky projekt është lidhur me sukses me projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). Me përfundimin e projektit të gazsjellësit Trans-Atolian të Gazit Natyror (TANAP) dhe Trans-Adriatik (TAP), të cilat janë ende në ndërtim e sipër, gazi natyror i nxjerrë nga Deti Kaspik do të transportohet në Itali nëpërmjet detit Adriatik. 550 kilometra do të kalojnë përmes Greqisë, 215 kilometra përmes Shqipërisë, 105 kilometra përmes detit Adriatik dhe 8 kilometra përmes Italisë. Kështu, falë krijimit të Korridorit Jugor të Gazit me një gjatësi totale prej 878 km, do të mundësohet plotësimi i afërsisht 35% i kërkesës totale të Evropës për gaz natyror.
Fakti që ky projekt do të transportojë gaz natyror në Evropë përmes Turqisë dhe Shqipërisë, do të luajë një rol të rëndësishem në marrëdhëniet dhe në ndërvarësinë mes dy vendeve. Kjo rrugë është gjithashtu e rëndësishme për sigurinë e energjisë në Evropë. Gjithashtu do të japë një kontribut pozitiv në procesin e integrimit evropian, pasi do të jetë një lëvizje që do të reduktojë varësinë energjitike të vendeve të Ballkanit nga Rusia. Projekti do të kontribuojë gjithashtu pozitivisht në shifrat e punësimit dhe rregullimet e infrastrukturës në Shqipëri.
Projektet energjitike janë baza e ndërveprimit rajonal dhe forcë shtyse jo vetëm kontribuojnë në stabilitetin e rajonit por gjithashtu kontribuojë në zhvillimin e vendeve si dhe në transportin e sigurt të energjisë në Europë.
*Vazhdon doktoraturën në Universitetin Medeniyet të Stambollit. Studiuese e rajonit të Ballkanit. Ka eksperiencë në sektorin e medias dhe Think Tanks.
**Ish Sekretare e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi ( ATTSO).


Comments
Post a Comment